Vaksinimi kundër gripit sezonal në Kumanovë ka nisur më 21 tetor, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë janë siguruar 1,600 doza vaksinash, raporton tvfesta.mk
Procesi i vaksinimit po zhvillohet në Departamentin e Epidemiologjisë pranë Qendrës për Shëndet Publik në Kumanovë, ndërsa vaksinat janë falas dhe u destinohen kryesisht qytetarëve që bëjnë pjesë në grupet e rrezikuara.
“Nga Ministria e Shëndetësisë janë siguruar 1,600 doza të vaksinave kundër gripit sezonal. Vaksinat janë koreane, trivalente, efektive dhe të sigurta. Ato janë falas dhe u rekomandohen grupeve të rrezikuara të popullsisë”, u shpreh Edita Ramizi, epidemiologe pranë Qendrës për Shëndet Publik në Kumanovë.
Ndër qytetarët të cilëve u rekomandohet vaksinimi bëjnë pjesë personat mbi 65 vjeç, fëmijët nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç, personat me sëmundje kronike respiratore dhe kardiovaskulare, diabeti, si dhe personat që marrin terapi imunosupresive.
Rekomandimi vlen gjithashtu edhe për anëtarët e familjeve ku jetojnë persona në terapi imunosupresive, banorët në shtëpitë e pleqve, gratë shtatzëna, nënat gjidhënëse dhe punonjësit shëndetësorë. /tvfesta

