Teatri Shqiptar në Kumanovë sonte do të mirëpresë Teatrin e Qytetit të Preshevës, i cili para publikut kumanovar do të prezantohet me komedinë “Jo simfoni e 5-të, po e 9-të” (Mytma burrin), raporton tvfesta.mk.
Shfaqja do të mbahet sonte, e martë, më 24 nëntor 2026, me fillim në orën 19:00, në Shtëpinë e Kulturës Kumanovë.
Komedia është vepër e autorit italian Aldo Nicolaj, e realizuar nën regjinë e Kastriot Saqipit, ndërsa në skenë do të interpretojnë aktorët Valon Nuhiu, Fitore Jashari dhe Gani Veseli.
Përmes një njoftimi publik, Teatri Shqiptar në Kumanovë ka ftuar qytetarët dhe artdashësit që të bëhen pjesë e kësaj mbrëmjeje teatrore.
“Një mbrëmje artistike që sjell në skenë humorin, emocionin dhe energjinë e aktorëve nga Presheva. Ju mirëpresim në teatër!”, thuhet në njoftimin e Teatrit Shqiptar në Kumanovë. /tvfesta

