Shqiptarët në Komunën e Kumanovës kanë shënuar bilancin më të lartë pozitiv demografik në raportin ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve gjatë periudhës 2010–2024.
Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave, gjatë këtyre 15 viteve në Kumanovë kanë lindur 5.498 fëmijë shqiptarë, ndërsa kanë vdekur 2.851 persona. Kjo rezulton me një bilanc pozitiv prej 2.647 banorësh dhe një raport prej gati dy lindjeve për çdo vdekje.
Bilanc pozitiv demografik kanë regjistruar edhe qytetarët e përkatësisë etnike rome, me 949 banorë më shumë në raportin lindje-vdekje.
Në anën tjetër, popullata maqedonase ka shënuar bilanc negativ prej 2.538 personash. Gjatë periudhës së njëjtë janë regjistruar 11.773 vdekje, kundrejt 9.235 lindjeve.
Gjendja paraqitet edhe më e pafavorshme te popullata serbe. Në 15 vitet e fundit janë regjistruar 1.175 vdekje dhe vetëm 353 lindje, duke rezultuar me bilanc negativ prej 822 personash. Kjo nënkupton se numri i vdekjeve është më shumë se tri herë më i lartë se ai i lindjeve.
Të dhënat pasqyrojnë dallimet e theksuara në zhvillimet demografike ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Komunën e Kumanovës, ku shqiptarët vazhdojnë të dallohen për bilancin më të favorshëm natyror të popullsisë.

