Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka vizituar Jabollçishten e Poshtme dhe Jabollçishten e Epërme në Komunën e Çashkës, ku ka shpërndarë abetare për nxënësit e klasave të para të shkollës fillore “Liria”, raporton tvfesta.mk
Në këtë aktivitet, ambasadori Meidani u shoqërua nga drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Besnik Emini, si dhe kryetari i Komunës së Çashkës, Suat Shaqiri.
Kjo vizitë vjen pas aktivitetit të ngjashëm të realizuar në Nerovë të Krushevës dhe është pjesë e angazhimeve për mbështetjen e arsimit në gjuhën shqipe, veçanërisht në vendbanimet ku ruajtja dhe kultivimi i gjuhës amtare ka rëndësi të veçantë.
Përmes një mesazhi publik, ambasadori Meidani theksoi se abetarja nuk është vetëm një libër mësimor, por edhe një simbol i dijes, identitetit dhe vazhdimësisë së gjuhës shqipe ndër breza.
“Një abetare në duart e një fëmije është hapi i parë drejt dijes, lidhja me rrënjët dhe premtimi se gjuha jonë do të jetojë edhe në brezat që vijnë”, u shpreh Meidani.
Ai nënvizoi se mbrojtja dhe promovimi i gjuhës shqipe kërkon angazhim konkret dhe krijimin e kushteve që çdo fëmijë të ketë mundësi të arsimohet në gjuhën amtare, pavarësisht vendbanimit.
“Besoj fort se mbrojtja e gjuhës shqipe nuk bëhet vetëm me fjalë e deklarata. Bëhet duke u krijuar fëmijëve mundësinë ta mësojnë, ta duan dhe të krenohen me të, kudo që jetojnë”, deklaroi ambasadori.
Sipas tij, vëmendja institucionale ndaj arsimit shqip duhet të përfshijë edhe shkollat më të vogla dhe vendbanimet më të largëta, në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet jashtë mundësive për arsimim dhe zhvillim.
“Nuk ka shkollë aq të vogël, as fshat aq të largët, sa të mbetet jashtë vëmendjes sonë. Kudo ku ka një fëmijë që mëson shqip, ka një të ardhme që duhet ta mbështesim”, përfundoi Meidani. /tvfesta

