KUMANOVË

SHFK “Bajram Shabani” dhe “Jeronim De Rada” bashkohen në aktivitete historike kushtuar 28 Nëntorit

Në frymën e festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, me iniciativë të profesorit Orion Latifi, është realizuar një aktivitet i përbashkët ndërmjet shkollave fillore komunale “Bajram Shabani” dhe “Jeronim De Rada”, raporton tvfesta.mk.

Aktiviteti, i cili u zhvillua përgjatë dy ditëve, përfshiu ligjërata historike dhe organizimin e një kuizi të përbashkët me nxënësit e klasave të nënta, me qëllim thellimin e njohurive historike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve arsimore.

Gjatë ditës së parë, në SHFK “Jeronim De Rada”, profesori Orion Latifi mbajti një ligjëratë të hapur me temën “Kur ëndrra shekullore u bë realitet – 28 Nëntor 1912”, ndërsa në SHFK “Bajram Shabani”, me të njëjtën temë, ligjëroi profesori Kudret Ferizi.

Kontribut në realizimin e këtij organizimi ndërshkollor dhanë edhe profesorët Qamile Latifi dhe Emrah Bilalli.

Aktiviteti u përmbyll në ditën e dytë në ambientet e SHFK “Bajram Shabani”, me zhvillimin e një kuizi historik, ku nxënësit e të dyja shkollave dëshmuan njohuritë e tyre mbi historinë kombëtare, në një atmosferë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë.

Përmes këtij organizimi, dy shkollat përcollën mesazhin se institucionet arsimore nuk janë vetëm vende të përvetësimit të dijes, por edhe hapësira të bashkimit, bashkëpunimit dhe kultivimit të vlerave të përbashkëta kombëtare.

“Sepse Nëntori na bashkon, ndërsa historia na kujton kush jemi!” – ishte mesazhi përmbyllës i këtij aktiviteti.