KUMANOVË

Nesër Kumanova feston kuqezi, Edona Llalloshi mysafire speciale e koncertit

Në kuadër të Javës Kulturore Shqiptare në Kumanovë, 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar, do të shënohet me një program të pasur kulturor dhe artistik, ku mysafire speciale do të jetë këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Edona Llalloshi, informon tvfesta.mk.

Manifestimi do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, me pjesëmarrjen e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova dhe Shoqërisë Kulturore Artistike “Jeta e Re” nga Sllupçani.

Atmosferës festive pritet t’i japë një shkëlqim të veçantë edhe paraqitja e këngëtares Edona Llalloshi, e cila do të jetë mysafire speciale e kësaj mbrëmjeje kushtuar festës kombëtare shqiptare.

Sipas programit të publikuar nga organizatorët, aktivitetet festive do të fillojnë në orën 17:30 me ekspozitën kushtuar 28 Nëntorit, ndërsa në orën 18:00 do të mbahet koncerti festiv “28 Nëntori”.

Përmes këngëve, valleve tradicionale dhe interpretimeve artistike, Kumanova pritet të përjetojë një mbrëmje të mbushur me emocione, krenari kombëtare dhe atmosferë kuqezi. /tvfesta