Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, Shkolla Fillore Komunale “Kultura” në Mateç të Komunës së Likovës do të organizojë një program festiv të përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle, raporton tvfesta.mk.
Manifestimi do të mbahet të premten, më 27 nëntor 2026, me fillim në orën 17:00, në Shtëpinë e Kulturës “Reaxhai Iseni – Xhai” në Mateç.
Përmes një ftese publike, drejtoria e shkollës ka ftuar prindërit dhe qytetarët që të marrin pjesë në këtë aktivitet festiv, kushtuar një prej datave më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Programi i përgatitur nga nxënësit e shkollës do të jetë në frymën e festave të Nëntorit, në nderim të flamurit dhe vlerave kombëtare shqiptare.
“Prania juaj do të jetë një gëzim i veçantë për nxënësit tanë dhe një mbështetje e çmuar për ta!”, thuhet në ftesën e publikuar nga Shkolla Fillore Komunale “Kultura” në Mateç dhe drejtori i saj, Mojsi Shabani. /tvfesta

