Me vendim të Këshillit të Komunës së Kumanovës, nga 1 janari i vitit 2027 do të rriten çmimet e transportit komunal me autobus, ndërsa numri i linjave do të reduktohet nga 26 në 19.
Siç informoi Lidija Lang Spasovska, udhëheqëse e Sektorit për Punë Komunale pranë Komunës së Kumanovës, një pjesë e linjave kanë qenë jorentabile, prandaj edhe është marrë vendimi për uljen e numrit të tyre. Çmimet e reja të biletave do të lëvizin nga 50 deri në 140 denarë, varësisht nga zona ku gjenden linjat, raporton tvfesta.mk
Me vendimin e ri, linjat janë reduktuar nga 26 në 19 sepse vlerësuam se nuk ka nevojë për një numër aq të madh linjash për shkak të jorentabilitetit. Me këtë vendim rregullohen edhe zonat sipas kilometrave. Në territorin e Komunës së Kumanovës ekzistojnë 6 zona të përcaktuara sipas largësisë: zona e parë është deri në 4 km, ndërsa e gjashta deri në 30 km. Çmimi për zonën 1 do të jetë 50 denarë, zonën 2 – 60, zonën 3 – 80, zonën 4 – 100, zonën 5 – 120 dhe për zonën 6 – 140 denarë, deklaroi Lang Spasovska.
Ajo sqaroi se këto janë çmimet maksimale të lejuara dhe kjo nuk do të thotë se do të aplikohen menjëherë nga të gjithë transportuesit.
Vendimi i votuar nga Këshilli parasheh gjithashtu që nxënësit dhe studentët të marrin 50% zbritje. Të drejtë shfrytëzimi të kësaj mase do të kenë të gjithë nxënësit që do të dorëzojnë vërtetim nga shkolla te transportuesit, ndërsa studentët e rregullt si dëshmi do të paraqesin legjitimacionin e studentit. /tvfesta

