
Ne, si këshilltar të Bashkimit Demokratik për Integrim, shprehim shqetësimin e thellë për vendosjen e tabelave të Qendrës për Shërbim në qytetin e Kumanovës, e cila eshtë vetëm në gjuhën maqedonase, duke injoruar plotësisht gjuhën shqipe. Ky veprim është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave tona gjuhësore dhe një pasqyrë e politikave diskriminuese që vazhdojnë të implementohen nga autoritetet lokale dhe ato qendrore.
Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në zonat ku shqiptarët përbëjnë shumicën, dhe kjo duhet të pasqyrohet në çdo shërbim dhe informacion publik. Nuk mund të lejojmë që një institucion, që ofron shërbime për qytetarët, të injorojë gjuhën shqipe dhe të cënojë identitetin dhe të drejtat tona.
Partitë politike në pushtet, si ato lokale ashtu edhe ato qendrore, duhet të tregojnë përkushtim të qartë dhe të vërtetë për zbatimin e ligjeve që mbrojnë të drejtat gjuhësore të shqiptarëve. Kjo situatë është një dëshmi e vazhdimit të politikave anti-shqiptare që po zhvillohen në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë përpjekje të vërtetë për përmirësimin e gjendjes.
Kërkojmë që tabelat e Qendrës për Shërbim në Kumanovë të jenë të dyja në gjuhën maqedonase dhe shqipe, siç e parashikon ligji. Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një shoqërie të barabartë dhe të respektuar për të gjithë qytetarët.
Ne, si qytetarë të këtij vendi, kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të reagojnë menjëherë dhe të bëjnë të mundur që ky gabim të rregullohet, duke respektuar gjuhën shqipe në të gjitha nivelet e shërbimeve publike.
Përfundimisht, ne i bëjmë thirrje të gjitha forcave politike të angazhohen për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave tona gjuhësore dhe kulturore, dhe të mos lejojnë që politikat e asimilimit dhe diskriminimit të vazhdojnë të mbështeten.