Pesë persona janë arrestuar në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të drogës, ndërsa ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për prodhim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve.
Kjo u bë e ditur nga zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti.
Sipas tij, aksioni filloi pas një informacioni të siguruar nga Departamenti i Inteligjencës, pas së cilës ekipet mobile ndërmorën veprime operative në pikën kufitare Dojran, në dalje të vendit, ku u ndalua një kamion që transportonte 79 kilogramë marihuanë, e destinuar për tregun turk. Për transportin e drogës u arrestua edhe shoferi, shtetas i Bosnjë-Hercegovinës.
“Hetimet treguan se kamioni kishte hyrë në Maqedoninë e Veriut me ngarkesë profile hekuri, të cilat duhej t’i transportonte drejt Greqisë. Në një lokacion të paracaktuar, pas marrëveshjes me persona nga Maqedonia e Veriut, në kamion ishte ngarkuar marihuana. Automjeti më pas ishte vulosur dhe kishte vazhduar rrugën drejt Greqisë, por u ndalua në kufirin e Dojranit. Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në rast”, njoftoi zëvendësdrejtori Mustafa Dauti.

