Muftiu i Muftinisë së Bashkësisë Fetare Islame në Kumanovë, h. Abedin ef. Imeri, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka realizuar një vizitë zyrtare në qytetin e Bursës, në Republikën e Turqisë, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve fetare, personalitete publike dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, raporton TVFesta.mk.
Sipas njoftimit të Muftinisë së BFI-së në Kumanovë, gjatë qëndrimit në Bursa, delegacioni është pritur nga Muftiu i Bursës, Yavuz Selim Karabayır, si dhe nga zëvendësmyftinjtë Şevket Bulut dhe Hasan Canlı.
Në kuadër të vizitës janë zhvilluar takime edhe me myftinjtë e rajoneve Osmangazi, Nilüfer dhe Kestel, përkatësisht Sabahattin Turan, Şakir Şahin dhe Ömer Bozkurt.
Delegacioni nga Kumanova ka takuar gjithashtu afaristin Farettin Gülener, kryetarin e Shoqatës Kulturore dhe të Solidaritetit “Kosovë – Shqipëri – Maqedoni”, Rexhep Gündüz, ish-sekretarin e Komunës së Bursës, prof. Necmettin Şenocak, si dhe koordinatorin për Ballkanin të fondacionit “Hudayi Vakfi”, Rafet Bilaçi.
Në fokus të takimeve kanë qenë forcimi i bashkëpunimit institucional, shkëmbimi i përvojave në veprimtarinë fetare dhe mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të dy vendeve.
Nga Muftinia e Kumanovës theksojnë se bisedimet janë zhvilluar në frymën e respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit, duke i vlerësuar këto takime si mundësi për forcimin e lidhjeve dhe shkëmbimin e ideve.
Muftinia ka shprehur mirënjohje për mikpritjen e ofruar nga përfaqësuesit e institucioneve në Bursa, ndërsa një falënderim të veçantë ia ka drejtuar Rexhep Gündüzit, i cili ka qenë iniciator dhe mbështetës i organizimit të vizitave.
Falënderime janë shprehur edhe për dr. Muhamed Ahmetajn, i punësuar në Muftininë e Bursës, i cili ka shoqëruar delegacionin gjatë qëndrimit në Turqi dhe ka ndihmuar në mbarëvajtjen e takimeve.
Nga Muftinia e BFI-së në Kumanovë vlerësojnë se vizita të tilla kontribuojnë në forcimin e lidhjeve vëllazërore, thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale me përfaqësuesit fetarë dhe shoqërorë në Republikën e Turqisë. /tvfesta

