LAJME

Ministria e Mjedisit Jetësor fton qytetarët të ndihmojnë në numërimin e arinjve të murrmë në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë thirrje publike për përfshirjen e qytetarëve në një aktivitet që synon numërimin e arinjve të murrmë në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Përmes një njoftimi, Ministria ka theksuar se në këtë proces rol të rëndësishëm kanë personat që njohin mirë zonat malore dhe që i vizitojnë ato rregullisht.

“Për të numëruar arinjtë e murrmë në Maqedoni, janë të rëndësishëm njerëzit që i njohin dhe i vizitojnë malet tona. Edhe ti mund të jesh pjesë e këtij angazhimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Nga ky institucion u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të interesuar që të kontaktojnë përmes mesazheve për të marrë më shumë informacione rreth mënyrës së përfshirjes në këtë aktivitet.

Nisma realizohet në kuadër të projektit rajonal LIFE DinPin Bear, i cili bashkëfinancohet nga Programi LIFE i Bashkimit Evropian.

Ky aktivitet synon të kontribuojë në mbledhjen e të dhënave për popullatën e arinjve të murrmë, të cilat janë të rëndësishme për monitorimin dhe mbrojtjen e kësaj specieje në vend.