KUMANOVË

Me këngë, valle dhe recitime patriotike, ShF “Bajram Shabani” në Kumanovë shënon 28 Nëntorin

Në një atmosferë festive dhe me frymë kombëtare, Shkolla Fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, sot, më 27 nëntor, ka shënuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, raporton tvfesta.mk.

Me këngë patriotike, valle tradicionale shqiptare dhe recitime kushtuar historisë, flamurit dhe figurave kombëtare, nxënësit e kësaj shkolle kanë prezantuar një program të pasur kulturor e artistik, duke krijuar një atmosferë të veçantë në prag të festës kombëtare.

Me një fjalim rasti, të pranishmëve iu drejtua drejtori i shkollës, Fatmir Ebibi, i cili theksoi rëndësinë e kësaj feste, sakrificën e të parëve dhe përgjegjësinë e institucioneve arsimore në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.

“Si institucion arsimor, kemi përgjegjësi që këto vlera t’ua përcjellim brezave të rinj duke i edukuar me dije, respekt dhe dashuri për atdheun. Falënderoj përzemërsisht mësimdhënësit dhe nxënësit për punën dhe përkushtimin në përgatitjen e këtij programi festiv”, theksoi drejtori Ebibi.

Ai gjithashtu u përcolli një mesazh nxënësve, duke i porositur që përmes dijes, punës dhe sukseseve të tyre të nderojnë historinë dhe të ndërtojnë të ardhmen.

“Të dashur nxënës, ju jeni e ardhmja jonë me dijen, punën dhe sukseset tuaja. Nderoni historinë dhe ndërtoni të ardhmen!”, u shpreh Ebibi, duke uruar të gjithë për festën e 28 Nëntorit.

Përmes këtij manifestimi, nxënësit dhe mësimdhënësit e ShF “Bajram Shabani” në Kumanovë nderuan historinë dhe vlerat kombëtare shqiptare, duke përcjellë mesazhe për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave ndër breza.