KUMANOVË

Grabitje në mes të ditës në Kumanovë, katër persona të maskuar grabisin një argjendari

Katër persona të maskuar kanë grabitur sot një argjendari në Kumanovë, duke marrë një sasi të konsiderueshme ari, ndërsa vlera e dëmit ende nuk është përcaktuar, raporton tvfesta.mk, duke iu referuar informacioneve të Alsat.

Grabitja ka ndodhur rreth orës 12:24, ndërsa kamerat e sigurisë kanë regjistruar ngjarjen në orën 13:24, për shkak se në sistemin e kamerave ende figuron ora verore.

Sipas informacioneve të Alsat, personat e maskuar kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur dy automjete – një furgon të bardhë të tipit Iveco me targa doganore të Gjermanisë dhe një Audi të kaltër me targa të Kosovës, përkatësisht të rajonit të Gjilanit (06).

Sipas informacioneve nga hetimet, automjetet dyshohet se kanë ardhur nga Shkupi, përmes Haraçinës, duke shfrytëzuar rrugën e vjetër, ndërsa pas grabitjes janë larguar në të njëjtin drejtim.

Në vendin e ngjarjes ndodhen ekipet e policisë dhe të Prokurorisë Publike, ndërsa hetimet po zhvillohen në disa pista për identifikimin e autorëve të grabitjes.

Vlera e saktë e arit të grabitur dhe dëmit të shkaktuar pritet të përcaktohet pas vlerësimit që do të bëhet në prani të pronarit të argjendarisë. /tvfesta

https://www.facebook.com/share/v/1CL85YUa3t/