Komuna e Kumanovës ka rikthyer thirrjen për çregjistrimin dhe largimin e automjeteve të dëmtuara dhe të braktisura nga hapësirat publike, pasi tentativa e parë për ofrimin falas të këtij shërbimi përfundoi pothuajse pa asnjë reagim nga pronarët. Sipas raportit të inspektorëve komunalë, në territorin e komunës aktualisht ndodhen rreth 70 automjete jashtë funksionit, të cilat prej vitesh zënë vende parkimi, trotuare dhe hapësira të tjera publike.
Këtë herë, thirrja i referohet çregjistrimit të automjeteve në Departamentin për Çështje Administrative në Kumanovë (rruga JNA bb). Nga Komuna njoftojnë se me konfirmimin e marrë për çregjistrim, qytetarët duhet të kontaktojnë Sektorin e Mbikëqyrjes Inspektuese – Inspektoratin e Komunës së Kumanovës, në adresën rr. “Bratstvo i Edinstvo” nr. 18 (përballë Stadiumit të Qytetit), në mënyrë që automjetet të largohen me shpenzimet e një agjenti kolektiv për automjetet e dëmtuara dhe të mbetura.
“Me konfirmimin e marrë për çregjistrim, qytetarët duhet të kontaktojnë Sektorin e Mbikëqyrjes Inspektuese – Inspektoratin e Komunës së Kumanovës, në mënyrë që këto automjete të largohen me shpenzimet e një agjenti kolektiv për automjetet e dëmtuara dhe të mbetura”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Autoritetet lokale paralajmërojnë se nëse pronarët e mjeteve motorike me defekt ose të dëmtuara, të lëna në rrugët publike, nuk veprojnë në përputhje me detyrimin ligjor, mjetet do të largohen përmes një veprimi kolektiv dhe kostot e largimit do të mbulohen nga vetë pronarët.
“Në të njëjtën kohë, pronarët e automjeteve të shkatërruara dhe të skrapuara do të përballen me procedura kundërvajtjeje nga një autoritet kompetent”, theksohet më tej në njoftim.

