Kjo është jeta, një luftë e pandërprerë për poste dhe pushtet. Një dukuri po aq e vjetër sa vetë bota. Por ajo që e dallon shoqërinë tonë nuk është gara për pushtet, por mënyra se si pushteti keqpërdoret, konsumohet dhe më pas braktiset me turp.
Historia jonë e largët po edhe e afërt është e mbushur me pushtetarë që, në mënyrë të turpshme, kanë hequr dorë nga “kënaqësitë” e posteve që ushtruan, pasi për vite me radhë përfituan prej tyre në mënyrë të pandershme. Një nga një, ata humbën gjithçka, autoritetin, respektin, postet dhe në fund, u mbeti vetëm turpi.
Në çastin kur e kuptojnë se është koha për t’u larguar, jo nga dinjiteti, por nga frika e gjurmëve të errëta që kanë lënë pas, atëherë fillojnë ta kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë, por të pamëshirshme, historia nuk fal dhe nuk harron, por për ta, zakonisht, ky kuptim vjen shumë vonë. Kjo duhet të jetë një kambanë alarmi për këdo që sot merr hov pas posteve dhe pushtetit. Çdo post shtetëror nuk është pronë personale, as privilegj për pasurim, por mision dhe përgjegjësi historike. Sepse dita më e rëndësishme për një pushtetar nuk është dita kur emërohet, por dita kur gjykohet nga veprat që ka lënë pas. Nëse një pushtetar lenë pas vetes turp, ai nuk e turpëron vetëm familjen e tij, ai turpëron një komb të tërë. Ai na nënçmon si shoqëri dhe si shtet, duke bërë që para botës së qytetëruar dhe demokratike shqiptarët të shihen si popull interesxhi, karrierist, i gatshëm të punojë për interesa të huaja, por jo për popullin e vet. Pushteti kalon, postet humbin, emrat harrohen, por gjurmët mbeten.
Prandaj, kujdes për ata që sot vrapojnë pas pushtetit pa vizion, pa moral dhe pa ndërgjegje. Sepse historia ka treguar se pushteti i fituar pa dinjitet përfundon gjithmonë në një vend, në bankën e turpit.

