KUMANOVË

Komuna e Kumanovës: Nuk do të ketë ndërprerje të transportit, nga 1 janari biletat shtrenjtohen për 15 denarë

Vendimi i Këshillit të Komunës së Kumanovës për reduktimin e numrit të linjave të autobusëve nga 26 në 19 ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, të cilët druajnë se ndryshimet mund të ndikojnë në cilësinë e transportit publik. Megjithatë, autoritetet komunale sqarojnë se linjat nuk do të shfuqizohen, por disa prej tyre do të bashkohen për të siguruar transport më efikas dhe mbulim më të mirë të vendbanimeve, raporton tvfesta.mk.

Nga Sektori për Punë Komunale, Infrastrukturë, Komunikacion dhe Mbrojtje të Mjedisit Jetësor dhe Natyrës në Komunën e Kumanovës kanë sqaruar për Kumanovonews se riorganizimi nuk nënkupton që qytetarët do të mbeten pa transport publik.

Sipas tyre, linjat me numër më të vogël udhëtarësh do të bashkohen, ndërsa transporti do të vazhdojë të funksionojë sipas orareve të përcaktuara, duke përfshirë qytetin, lagjet periferike dhe fshatrat.

“Linjat e autobusëve nuk do të shfuqizohen dhe do të vazhdojnë të funksionojnë sipas orarit të përcaktuar. Nuk është e vërtetë se me reduktimin e disa linjave qytetarët do të mbeten pa transport. Si deri më tani, transporti do të sigurohet për të gjitha vendbanimet. Bashkohen vetëm linjat ku ka më pak udhëtarë, me qëllim që të krijohet një transport më funksional”, sqarojnë nga Komuna.

Sipas vendimit të ri për organizimin e transportit komunal, parashihen këto ndryshime:

Linjat nr. 1 Proevcë – Bedinjë dhe nr. 4 Bedinjë – Dobroshan bashkohen në linjën nr. 1 Priovcë – Stacioni Hekurudhor.
Linjat nr. 3 Zelen Rid – Stacioni Hekurudhor dhe nr. 4 Bedinjë – Dobroshan bashkohen në linjën nr. 3 Dobroshan – Zelen Rid – Zona Industriale.
Linjat nr. 17 Kumanovë – Tabanoc (Sllanishte) dhe nr. 20 Kumanovë – Çetircë bashkohen në linjën nr. 16 Kumanovë – Çetircë – Tabanoc (Sllanishte).
Linja nr. 10 Biljanoc – Bedinjë ndryshohet në linjën nr. 9 Biljanoc – Stacioni i Zjarrfikësve.

Linjat nr. 14, 18, 21, 22 dhe 23 bashkohen në linjën nr. 13, e cila do të lidhë Stacionin e Autobusëve – Orashac – Skaçkoc – Novosellan – Kosmatac – Murgash – Kuçkarevë – Gabresh – Gradishtë – Pezovë – Kshanë – Kokoshinjë.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Komunës së Kumanovës, pasi kontratat me operatorët aktualë të transportit përfundojnë në fund të vitit 2026.

Nga 1 janari 2027, biletat më të shtrenjta për 15 denarë

Përveç riorganizimit të linjave, vendimi parasheh edhe rritjen e çmimit të biletës së autobusit për 15 denarë, duke filluar nga 1 janari 2027.

Ndërkohë që qytetarët shprehin shqetësime për ndikimin e këtyre ndryshimeve në transportin e përditshëm, Komuna e Kumanovës këmbëngul se synimi është krijimi i një sistemi më funksional, pa lënë asnjë vendbanim jashtë rrjetit të transportit publik.