KUMANOVË

Kumanovë, kallëzim penal për pesë persona

Pas një aksioni të gjerë policorë gjatë ditës së djeshme në disa lokacione në Kumanovë, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, ka njoftuar se pesë persona do të përballen me akuza penale.

“Janë kryer kontrolle në disa lokacione në Kumanovë; pesë persona janë ndaluar dhe do të përfshihen në kallëzimet penale, pasi ka pretendime serioze dhe prova lidhur me veprat penale të kryera. Gjatë kontrolleve është gjetur një sasi e konsiderueshme parash të gatshme, si dhe dokumentacion që tregon se këta persona janë marrë me dhënien e parave hua dhe me zhvatje. Bazuar në këtë dokumentacion, është kryer kontroll edhe në një zyrë noteriale. Për më tepër, është njoftuar Banka Kombëtare, pasi në një zyrë këmbimi valutor janë gjetur fonde, të cilat, sipas informacioneve, vijnë nga vëllai i njërit prej të dyshuarve.”, deklaroi Janev.

Ndryshe aksioni policor filloi dje që nga orët e hershme të mëngjesit në disa lokacione në Kumanovë. Pas këtij aksioni në të cilin janë gjetur sasi të mëdha parash dhe dokumente tjera që merren si prova për veprimtarinë e paligjshme të këtij grupi, ndaj 5 personave tashmë janë ngritur kallëzime penale.

FATLUM AQIFI