MAQEDONI

Kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Komunës së Sveti Nikollës për “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar”

Zyra e Jashtme e Çështjeve Kriminalistike në Sveti Nikollë ka paraqitur kallëzim penal kundër S.V. (55) nga Sveti Nikolla për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar”.

I denoncuari, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Sveti Nikollës, gjatë vitit 2021, duke tejkaluar kufijtë e kompetencave të tij zyrtare, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ndërtim dhe Rregullores për mënyrën e lëshimit të lejeve të ndërtimit, në atë mënyrë që personalisht ka përgatitur, nënshkruar dhe lëshuar një leje ndërtimi, e cila nuk ishte e regjistruar në sistemin elektronik të Sektorit për Urbanizëm, Mbrojtje të Mjedisit, Punë Komunale dhe Tjetërsim të Tokës Ndërtimore pranë Komunës së Sveti Nikollës.

Kjo leje, e cila juridikisht është e pavlefshme, është shfrytëzuar nga një kontraktor nga Shkupi, i cili ka ndërtuar një objekt me vlerë prej 15.488.118 denarësh, dhe me këtë veprim i është shkaktuar dëm porositësit në këtë shumë.

Për më tepër, objekti në fjalë nuk është regjistruar në Agjencinë e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme në Sveti Nikollë, pasi konsiderohet objekt i ndërtuar pa leje.