KUMANOVË

IMAM ELJASA MAHMUDI: VLERA E MUAJIT SHABAN🌙

Shkruan: Imam Eljasa Mahmudi – Xhamia në Lagjen e Trimave

Sot është dita e fundit e muajit të shenjtë Rexheb, që do të thotë se prej sonte në mbrëmje fillon muaji i bekuar Shaban për vitin 1447 hixhri. Ky muaj dallohet me disa veçori. Këto janë më kryesoret:

1) Muaji në të cilin ngrihen veprat.
Muhammedi ﷺ ka thënë:

“Ai është një muaj që njerëzit e neglizhojnë e që është mes Rexhebit dhe Ramazanit. Në të ngrihen veprat tek Zoti i botëve dhe unë dëshiroj që veprat e mia të ngrihen ndërsa jam agjërues.”

2) Muhammedi ﷺ agjëronte shumë në Shaban. Aishja (All-llahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë:

“Nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ të agjëronte një muaj të plotë përveç Ramazanit, dhe nuk e kam parë të agjëronte më shumë se në Muajin Shaban”.

3) Përgatitje për Ramazanin.
Shabani është një parapërgatitje shpirtërore për Ramazanin:

mësim i vetes me agjërim;

shtim i adhurimeve;

pastrim i zemrës dhe qëllimit.

4) Nata e mesit të Shabanit-Nata e Beratit.
Në këtë muaj është nata e bekuar e gjysmës së Muajit Shaban, përkatësisht Nata e Beratit që sipas disa transmetimeve nga Muhammedi ﷺ në këtë natë All-llahu i falë të gjithë robërit e Tij me përjashtim të idhujtarit dhe atij që në zemrën e tij ka urrejtje.

Zot i Madhërishëm, na beko në Muajin Shaban dhe na mundëso ta arrijmë Muajin Ramazan!🤲