Sot u mbajt takimi i parë koordinues në kuadër të projektit “Mekanizmi ndërkomunal për parandalim, mbrojtje dhe shpëtim në situata krize”.
Projekti do të realizohet në partneritet mes Komunës së Kumanovës, Komunës së Likovës dhe Qendrës për Zhvillim të Rajonit Planor Verilindor (QZhRPV), në një periudhë njëvjeçare.
Mbështetja financiare është siguruar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Byronë për Zhvillim Rajonal, në kuadër të thirrjes së tretë për ndarjen e granteve nga projekti “Komunat si shtytëse të zhvillimit të qëndrueshëm”.
Në kuadër të projektit, parashihet sigurimi i 21 uniformave të plota për intervenime në zjarre pyjore dhe zjarre në ambiente të hapura, të dedikuara për pjesëtarët e Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit – Kumanovë (NjTKZ Kumanovë) dhe Shoqatës Vullnetare Kundër Zjarrit “Pero Çiço”.
Gjithashtu, do të prokurohen 21 pompa shpine për shuarjen e zjarreve dhe katër zorrë zjarri, me qëllim avancimin e kapaciteteve për ballafaqim me kohë dhe efikasitet me zjarret.
Një segment i rëndësishëm i projektit është edhe avancimi i digjitalizimit dhe sigurisë. Në këtë drejtim, parashihet krijimi i një ueb-faqeje për NjTKZ Kumanovë, sigurimi i pajisjeve kompjuterike, si dhe vendosja e kamerave të sigurisë për mbrojtjen e pajisjeve kundër zjarrit.
Aktivitetet e projektit realizohen nga Njësia për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime evropiane, planifikim strategjik, krijim të politikave, monitorim dhe zhvillim ekonomik lokal (ZHEL) pranë Komunës së Kumanovës.
Me realizimin e projektit pritet të fuqizohet bashkëpunimi ndërkomunal, të avancohen kapacitetet teknike dhe operative të shërbimeve kundër zjarrit dhe të kontribuohet në rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së komuniteteve lokale gjatë ballafaqimit me situata krize.

