Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani e ka nisur ditën e parë të vitit të ri shkollor me vizitë në Shkollën fillore “Naim Frashëri” në Kumanovë, ndërsa ditën e ka përmbyllur me vizitë në SHF “Goce Dellçev” në Manastir.
Në Kumanovë, Sulejmani së bashku me drejtorin e shkollës, Muhamet Zeqiri, pritën nxënësit e klasave të para në ditën e tyre të parë të shkollës, duke u uruar atyre dhe prindërve një fillim të mbarë të rrugëtimit drejt dijes dhe suksesit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kushteve në të cilat këtë vit shkollor i pret nxënësit SHF “Naim Frashëri”, falë një donacioni nga donatori Arben Ademi dhe Shoqata Humanitare “Swiss Barakah”.
Sulejmani falënderoi donatorët për kontributin e tyre, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së komunitetit në përmirësimin e kushteve për nxënësit.
Ai theksoi gjithashtu se MASH-i ka marrë masat e nevojshme për një fillim të organizuar të vitit shkollor. Sipas tij, për të tretin vit radhazi është siguruar shpërndarja me kohë e librave shkollorë dhe janë krijuar parakushte për zhvillim normal të procesit mësimor.
Pas Kumanovës, zëvendësministri Sulejmani vizitoi edhe SHF “Goce Dellçev” në Manastir, ku u prit nga drejtoresha Natasha Stavrevska.
Edhe në këtë shkollë, ai uroi nxënësit, mësimdhënësit dhe menaxhmentin për fillimin e vitit të ri shkollor, duke theksuar përkushtimin e Ministrisë së Arsimit për funksionim sa më të mirë të procesit edukativo-arsimor dhe furnizimin në kohë me tekste shkollore.
“Uroj që ky vit shkollor të jetë vit i dijes, përkushtimit, bashkëpunimit dhe arritjeve të reja për të gjithë nxënësit”, ishte mesazhi i zv/ministrit Sulejmani.

