Sot, Maqedonia e Veriut konsolidon marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke nënshkruar një Marrëveshje të rëndësishme për Tregti. Kjo marrëveshje, që parashikon uljen e tarifave deri në 15%, dhe për disa produkte deri në 0%, synon të nxisë eksportin, të tërheqë investime të reja dhe të forcojë zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit.
Marrëveshja reflekton angazhimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për një politikë ekonomike transparente dhe konkrete, si dhe për një qeverisje të përgjegjshme, e cila vendos interesin e qytetarëve dhe biznesit në qendër të veprimit të saj. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës thekson gjithashtu rëndësinë strategjike të vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe pozicionin tonë si partner dhe aleatë të përhershëm!
Ky hap historik krijon mundësi të reja për bizneset tona, zgjeron qasjen në tregun amerikan dhe sjell përfitime konkrete për qytetarët, duke kontribuar në rritjen e standardit të jetesës dhe në zhvillimin e një ekonomie të fortë, të qëndrueshme dhe konkurruese. Përmes këtij partneriteti, Maqedonia e Veriut riafirmon përkushtimin e saj për bashkëpunim ndërkombëtar të bazuar mbi transparencë dhe respekt të ndërsjellë.

