Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka përcjellë një mesazh urimi për shqiptarët, raporton tvfesta.mk.
Në urimin e tij, Gashi e ka cilësuar 28 Nëntorin si një nga datat më domethënëse të historisë kombëtare shqiptare, që simbolizon sakrificën dhe aspiratën shekullore për liri.
Ai ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si dhe përgjegjësinë për përcjelljen e këtyre vlerave te brezat e ardhshëm.
“Gjuha, kultura, identiteti dhe ndjenja e përkatësisë kombëtare janë një trashëgimi e çmuar, të cilën kemi detyrim ta ruajmë e ta përcjellim te brezat që vijnë, me përgjegjësi, vizion dhe unitet”, ka theksuar Gashi.
Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, Gashi ka nënvizuar angazhimin për avancimin e barazisë, përfaqësimin e drejtë dhe forcimin e institucioneve demokratike në Maqedoninë e Veriut.
“Jam i bindur se dashuria për kombin, ruajtja e identitetit dhe përkushtimi ndaj shtetit e shoqërisë ku jetojmë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato plotësohen dhe marrin kuptim përmes respektit, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët”, është shprehur Gashi.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, kryetari i Kuvendit ka bërë thirrje që 28 Nëntori të jetë jo vetëm një ditë krenarie për trashëgiminë kombëtare, por edhe një zotim për ndërtimin e një të ardhmeje të dinjitetshme për të gjithë.

