KUMANOVË

Kumanova me aksion të madh për gjelbërimin, prioritet Parku i Qytetit dhe shëtitorja e lumit

Ndërmarrja Publike “Pastërtia dhe Gjelbërimi” në Kumanovë gjatë periudhës së ardhshme do të realizojë një aksion të madh të mbjelljes së drunjve në disa lokacione të Komunës së Kumanovës, raporton tvfesta.mk.

Sipas drejtorit të ndërmarrjes, Sasho Tomiq, fillimisht do të përfshihen sipërfaqet e dëmtuara nga moti i lig, ndërsa parashikohet edhe krijimi i radhëve të reja të drunjve përgjatë rrugëve dhe lumenjve.

“Aksionin do ta fillojmë nga Parku i Qytetit, ku gjatë verës ranë shumë drunj. Obligimi ynë ligjor është që për çdo dru të rrëzuar të mbjellim së paku pesë të rinj. Ne do të përpiqemi të mbjellim sa më shumë. Prioritet do të jenë edhe shëtitorja e qytetit përgjatë lumit Kumanovka, Përmendorja e Kosturnicës dhe bashkësia lokale ‘Pançe Peshev’, në vendet ku drunjtë janë tharë apo dëmtuar, si dhe krijimi i radhëve të reja të drunjve”, ka deklaruar Tomiq.

Ai ka bërë të ditur se rreth 80 për qind e fidanëve të mbjellë gjatë vitit të kaluar kanë zënë rrënjë, ndërsa pjesa tjetër do të zëvendësohet. Sipas tij, ndërmarrja disponon sasi të mjaftueshme të fidanëve nga prodhimtaria e vet për realizimin e këtij aksioni.

Në aksionin e mbjelljes së drunjve do të përfshihen edhe shkollat, organizatat joqeveritare, si dhe qytetarët që dëshirojnë të kontribuojnë në shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në Kumanovë. /tvfesta