Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip dhe 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, në Shkollën Fillore Komunale “7 Marsi” në fshatin Opajë të Komunës së Likovës është organizuar një program festiv, raporton tvfesta.mk.
Përmes recitimeve, këngëve dhe paraqitjeve të ndryshme artistike, nxënësit kanë përcjellë mesazhe për rëndësinë e gjuhës shqipe, historisë, kulturës dhe atdhedashurisë, duke sjellë atmosferën festive të festave kombëtare në ambientet e shkollës.
Drejtori i shkollës, Besnik Ibrahimi, ka vlerësuar përkushtimin e nxënësve dhe mësimdhënësve në organizimin e këtij programi, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare.
“Ky program ishte një dëshmi e përkushtimit të nxënësve dhe mësimdhënësve tanë në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare, si dhe në përcjelljen e tyre te brezat e rinj”, ka theksuar drejtori Ibrahimi.
Me këtë rast, drejtori i SHFK “7 Marsi”, Besnik Ibrahimi, ka uruar të gjithë shqiptarët për Festat e Nëntorit. /tvfesta

