Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, ka kërkuar që gjatë ndryshimeve të ardhshme kushtetuese të hiqet formulimi prej 20 për qind që lidhet me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Në Podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, Shaini deklaroi se gjuha shqipe duhet të përcaktohet qartë në Kushtetutë, njësoj si gjuha maqedonase.
“Gjuha shqipe nuk mund të përkufizohet me 20 për qind, por duhet të përkufizohet në të njëjtën mënyrë siç përkufizohet edhe gjuha maqedonase”, u shpreh ajo.
Sipas Shainit, hapja eventuale e Kushtetutës për ndryshimet që lidhen me procesin e integrimit evropian duhet të shfrytëzohet edhe për korrigjimin e këtij formulimi.
Ajo theksoi se do të ishte e drejtë që në Kushtetutë të shkruhej shprehimisht se gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe.
Gjatë bisedës, moderatori Nexhat Aqifi rikujtoi statusin që gjuha shqipe kishte gëzuar në periudhën e ish-Jugosllavisë, duke iu referuar Kushtetutës së vitit 1974 dhe përdorimit të saj në dokumentet zyrtare.
Shaini vlerësoi se ndryshimet kushtetuese do të përbënin një mundësi për avancimin e statusit të gjuhës shqipe.
Ajo e lidhi këtë çështje edhe me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e përmirësimeve kushtetuese gjatë këtij procesi.

