KUMANOVË

Shaini në TV Festa: Klubet sportive të Likovës do ta kenë mbështetjen time

Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, ka deklaruar se klubet sportive të Komunës së Likovës do të vazhdojnë të kenë mbështetje nga Ministria e Sportit, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë administrativ.

Gjatë paraqitjes në Podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, Shaini foli për zhvillimin e sportit në Komunën e Likovës, investimet e realizuara dhe mundësitë për mbështetjen e klubeve sportive që janë themeluar apo riaktivizuar kohëve të fundit.

E pyetur për klubet e futbollit në Mateç, Hotël dhe vendbanime të tjera, si dhe për organizimin e ligës komunale, zëvendësministrja theksoi se klubet që garojnë në nivel komunal duhet ta kenë mbështetjen kryesore nga pushteti lokal.

Megjithatë, ajo garantoi përkrahjen e saj për klubet sportive të Likovës, duke përmendur edhe disiplinat e tjera sportive që zhvillohen në këtë komunë.

“Për krejt klubet në Komunën e Likovës, mbështetjen do ta kenë nga Ministria e Sportit, do ta kenë mbështetjen time si zëvendësministre. Kjo nuk do të jetë problem”, deklaroi Shaini.

Ajo përmendi klubin Besa të Sllupçanit, klubin e shahut Teuta, klubin e karatesë Rinia, si dhe klubet e basketbollit dhe disiplinave të tjera sportive që veprojnë në këtë komunë.

Sipas saj, mbështetja nuk do të kufizohet vetëm në ndarjen e mjeteve financiare, por do të përfshijë edhe ndihmën për rregullimin e dokumentacionit dhe procedurave administrative, të cilat shpesh paraqesin pengesa për funksionimin e klubeve.

Duke folur për investimet konkrete në Komunën e Likovës, Shaini bëri të ditur se është realizuar projekti për vendosjen e tribunave në stadiumin “Abdulmexhid Shahini”.

Ajo theksoi se Ministria e Sportit ka ndarë mbi 50 milionë denarë mjete shtesë për më shumë se 100 klube sportive shqiptare në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku janë përfshirë edhe klube nga rajoni i Likovës.

Zëvendësministrja sqaroi se ndarja e mjeteve bëhet duke marrë parasysh rezultatet sportive, aktivitetet dhe pjesëmarrjen në gara, ndërsa për klubet e sapoformuara mbështetja përmes këtyre skemave varet nga plotësimi i kritereve përkatëse.

Shaini theksoi se vazhdimisht zhvillon takime me drejtuesit dhe trajnerët e klubeve sportive, me qëllim që të njihet drejtpërdrejt me problemet dhe nevojat e tyre.

“Nuk ka pasur rast deri sot, prej fillimit të mandatit, që ta kthej një klub sportiv ose të mos e pranoj në takim”, u shpreh ajo.

Në fund, zëvendësministrja me prejardhje nga Sllupçani ritheksoi përkushtimin e saj për zhvillimin e sportit në Komunën e Likovës, duke premtuar se do të vazhdojë të jetë në shërbim të klubeve dhe sportistëve të kësaj komune. /tvfesta