KUMANOVË

Shkolla Fillore “Dituria” nga Likova triumfon në garën për njohjen e rregullave të komunikacionit

Shkolla Fillore “Dituria” nga Likova ka zënë vendin e parë në garën për njohjen e rregullave të komunikacionit, falë suksesit të nxënëses Xhilka Mustafa, e cila triumfoi në mesin e pjesëmarrësve nga shkollat fillore të Komunës së Likovës, raporton tvfesta.mk.

Aktiviteti edukativ u organizua nga Sektori për Parandalim, në bashkëpunim me kabinetin e kryetarit të Komunës së Likovës, Erkan Arifi, me qëllim rritjen e njohurive dhe ndërgjegjësimit të nxënësve për sigurinë në komunikacion.

Në këtë garë morën pjesë nxënësit e klasave të teta dhe të nënta nga të gjitha shkollat fillore të Komunës së Likovës, të cilët iu nënshtruan testimit për njohjen e rregullave të komunikacionit rrugor.

Gara u zhvillua në disa faza, ku fillimisht nxënësit kaluan nëpër një raund eliminues. Ata që grumbulluan numrin e nevojshëm të pikëve siguruan pjesëmarrjen në finalen e zhvilluar në Shkollën Fillore “Kultura” në Mateç, e cila ishte nikoqire e këtij aktiviteti.

Pas përfundimit të fazës finale, nxënësit më të suksesshëm u kualifikuan në superfinale, ku fituesit u përcaktuan në bazë të pikëve të fituara dhe shpejtësisë së zgjidhjes së testit.

Vendin e parë e fitoi Xhilka Mustafa nga Shkolla Fillore “Dituria” në Likovë, ndërsa vendi i dytë i takoi Bafije Yfetait nga Shkolla Fillore “Anton Zako Çajupi” në Hotël.

Vendin e tretë e siguroi Eliza Emini nga Shkolla Fillore “Faik Konica” në Sllupçan.

Për nxënësit fitues u ndanë vauçerë shpërblyes, të siguruar me mbështetjen e kryetarit të Komunës së Likovës, Erkan Arifi.

Me këtë rast, shefja e Sektorit për Parandalim, mr. Lile Mladenovska, shprehu falënderime për kryetarin Arifi, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj projekteve që ky sektor realizon në territorin e Komunës së Likovës.

Ajo falënderoi gjithashtu mentorët që morën pjesë gjatë dy ditëve të zhvillimit të aktivitetit, si dhe drejtorin dhe stafin e Shkollës Fillore “Kultura” në Mateç për mikpritjen dhe organizimin e finales.

Aktiviteti kishte për qëllim edukimin e gjeneratave të reja mbi rëndësinë e respektimit të rregullave të komunikacionit dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.