Ish-punonjësi shumëvjeçar i Entit Shtetëror të Statistikave, Ridvan Ismaili, ka publikuar një analizë mbi shtimin natyror të popullsisë në Ballkanin Perëndimor, duke nxjerrë në pah dallime të konsiderueshme demografike mes Kosovës, Serbisë, shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoninë e Veriut, raporton tvfesta.mk.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Ismaili, Kosova vazhdon të regjistrojë shtim natyror pozitiv, ndërsa Serbia dhe popullsia etnike maqedonase në Maqedoninë e Veriut përballen me rënie natyrore të popullsisë.
Gjatë vitit 2025, Kosova ka regjistruar shtim natyror prej 11.694 banorësh, që përkthehet në një mesatare prej rreth 32 banorësh më shumë çdo ditë.
Për ta ilustruar këtë rritje, Ismaili ka bërë krahasimin me Komunën e Kamenicës, e cila numëron rreth 22.868 banorë. Sipas tij, shtimi natyror i Kosovës brenda një viti është pak më shumë se gjysma e popullsisë së kësaj komune.
Në anën tjetër, Serbia ka regjistruar një rënie natyrore prej 35.764 banorësh gjatë vitit 2025, ose mesatarisht 98 banorë më pak në ditë.
Ismaili e ka krahasuar këtë rënie me popullsinë e Komunës së Velika Pllanës, e cila ka rreth 35.766 banorë.
Kjo do të thotë se, vetëm përmes diferencës ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve, Serbia ka humbur brenda një viti pothuajse aq banorë sa numëron kjo komunë.
Një dallim i theksuar vërehet edhe ndërmjet dy bashkësive etnike në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Ismailit, gjatë vitit 2024, popullsia etnike maqedonase ka regjistruar rënie natyrore prej 7.918 personash, që përkthehet në mesatarisht 22 persona më pak çdo ditë.
Kjo rënie është pothuajse e barabartë me popullsinë e Komunës së Krushevës, e cila numëron rreth 8.385 banorë.
Ndërkohë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar shtim natyror prej 2.166 personash gjatë vitit 2024, ose mesatarisht gjashtë persona më shumë çdo ditë.
Ismaili e ka krahasuar këtë shtim me popullsinë e Komunës së Vevçanit, e cila numëron 2.359 banorë.
Duke përmbledhur të dhënat, siç ifnormon tvfesta, ish-punonjësi i Entit Shtetëror të Statistikave ka bërë një krahasim interesant për të ilustruar ndryshimet demografike.
“Brenda vetëm një viti, Kosova shton më shumë se gjysmën e një Kamenice, Serbia humb një Velika Pllanë, maqedonasit humbin pothuajse një Krushevë, ndërsa shqiptarët në Maqedoni shtohen sa popullsia e Vevçanit!”, ka shkruar Ismaili.
Ai ka sqaruar se për Maqedoninë e Veriut janë përdorur të dhënat e vitit 2024, pasi Enti Shtetëror i Statistikave ende nuk i ka publikuar të dhënat e lindjeve sipas përkatësisë etnike për vitin 2025.
Duhet theksuar se këto shifra pasqyrojnë shtimin natyror, përkatësisht diferencën ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve, dhe jo ndryshimin e përgjithshëm të popullsisë, i cili ndikohet edhe nga migrimi. /tvfesta


