KUMANOVË

Muhamed Ali nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Shoqatën Vullnetare të Zjarrfikësve “KARADAKU 2026” nga Likova

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat, Muhamed Ali, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Shoqatën Vullnetare të Zjarrfikësve, Mbrojtjes dhe Shpëtimit “KARADAKU 2026” nga Komuna e Likovës, raporton tvfesta.mk.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë drejtori Muhamed Ali, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me organizatat vullnetare për përmirësimin e gatishmërisë dhe koordinimit në situata emergjente.

Sipas tij, përfshirja e strukturave vullnetare në sistemin e menaxhimit të krizave është e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të reagimit dhe mbrojtjen e qytetarëve në rast të fatkeqësive apo situatave të tjera emergjente.

“Bashkëpunimi me strukturat vullnetare është i një rëndësie të veçantë për forcimin e koordinimit dhe rritjen e gatishmërisë për reagim në situata emergjente”, ka deklaruar Ali.

Ai ka ritheksuar përkushtimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin me të gjitha organizatat dhe institucionet që kontribuojnë në sigurinë publike.

“Si drejtor i Qendrës për Menaxhim me Krizat, mbetem i përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me të gjithë faktorët që kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve”, ka shkruar Muhamed Ali.

Nënshkrimi i këtij memorandumi synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet Qendrës për Menaxhim me Krizat dhe Shoqatës Vullnetare “KARADAKU 2026” nga Likova, veçanërisht në drejtim të koordinimit dhe gatishmërisë për përballimin e situatave emergjente. /TVFESTA