Në kuadër të edicionit të tetë të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit 2026”, Sevdail Demiri ka prezantuar dëshmi historike mbi organizimin e shkollës së parë shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, e cila u hap në vitin 1990 në Glarus, raporton tvfesta.mk.
Njoftimi është publikuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përmes faqes së tij zyrtare në Facebook.
Prezantimi u zhvillua gjatë sesionit “Shkolla shqipe në mërgatë”, në kuadër të konferencës shkencore “Gjendja e teksteve shkollore në RMV”, që u mbajt në ambientet e këtij institucioni.
Në kumtesën e përgatitur në bashkautorësi me prof. dr. Minir Ademi, Demiri paraqiti dëshmi mbi fillimet e organizimit të pavarur të arsimit shqip në diasporën shqiptare në Zvicër.
Vëmendje e veçantë iu kushtua kontributit të veprimtarit Selami Bajrami, i cili kishte rol themelor në organizimin e shkollës së parë shqipe të mësimit plotësues në Glarus, në vitin 1990.
Sipas njoftimit të publikuar, ajo periudhë karakterizohej nga kushte të vështira për shqiptarët në mërgatë, por njëkohësisht përfaqësonte një moment të rëndësishëm për shkëputjen e organizimit arsimor shqiptar nga juridiksioni i ambasadave jugosllave.
“Ishin kohë të vështira të mbijetesës dhe momente kyçe për shkëputjen definitive të diasporës shqiptare nga juridiksioni i ambasadave jugosllave, duke bërë organizimin e rrjetit arsimor shqip në mënyrë të pavarur”, thuhet në publikim.
Përmes kësaj kumtese u rikujtuan përpjekjet e mërgimtarëve shqiptarë për ruajtjen e gjuhës amtare, identitetit kombëtar dhe zhvillimin e arsimit shqip për brezat e rinj në diasporë.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të manifestimit “Ditët e Alfabetit 2026”, i cili organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. /tvfesta

