KUMANOVË

Orhan Kurtishi i kundërpërgjigjet BDI-së: Në Spitalin e Kumanovës punojnë 220 shqiptarë!

Përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Orhan Kurtishi, ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së lidhur me punësimet në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, duke publikuar të dhëna për përfaqësimin etnik të të punësuarve në këtë institucion, raporton TVFesta.mk.

Reagimi i Kurtishit vjen pas konferencës për media që Dega e BDI-së në Kumanovë mbajti sot para spitalit, ku përfaqësuesi i saj, Amir Shabani, pretendoi se nga 90 punësimet e fundit, asnjë person nuk është shqiptar.

Kurtishi i ka cilësuar akuzat e opozitës si propagandë politike, duke theksuar se realiteti në Spitalin e Kumanovës është ndryshe nga ai që, sipas tij, po prezantohet në opinion.

“Sot pashë një teatër të çuditshëm, për të mos thënë një fytyrë të një sistemi të kaluar, të kalbur. Pashë numra që di t’i prodhojë vetëm propaganda dhe veglat e opozitës, e që nuk kanë të bëjnë aspak me realitetin”, ka shkruar Kurtishi.

Sipas të dhënave të publikuara prej tij, Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës numëron gjithsej 618 të punësuar, prej të cilëve 220 janë shqiptarë ose 36 për qind, 324 maqedonas ose 52 për qind dhe 74 të tjerë ose 12 për qind.

Kurtishi ka publikuar edhe statistika për përfaqësimin etnik të mjekëve në këtë institucion shëndetësor.

Sipas tij, nga gjithsej 124 mjekë, 51 janë shqiptarë ose 41 për qind, 64 maqedonas ose 52 për qind dhe nëntë të tjerë ose 7 për qind.

Përfaqësuesi i VLEN-it ka drejtuar gjithashtu akuza ndaj BDI-së, duke pretenduar se gjatë kohës kur kjo parti ishte në pushtet, shqiptarë të caktuar janë përballur me kërcënime, shantazhe dhe largime nga puna për shkak të bindjeve të tyre politike.

“Kur vjen puna te largimi i shqiptarëve nga puna, ju e dini shumë mirë se sa shqiptarë i keni kërcënuar dhe shantazhuar për një vend pune, si dhe sa prej tyre i keni larguar vetëm pse nuk kanë qenë me ju. E tash dilni e flisni sikur jeni mbrojtësit e shqiptarëve!”, ka deklaruar Kurtishi.

Përplasja mes BDI-së dhe VLEN-it ka në qendër punësimet në Spitalin e Kumanovës dhe përfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion publik. /tvfesta