Sektori për Punë e Brendshme (SPB) Kumanovë ka mbajtur një takim pune me përfaqësues të kompanive të transportit, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve. Në këtë takim, Shefja e Departamentit të Parandalimit në SPB Kumanovë, M-r. Lile Mladenovska, ka paralajmëruar kontrolle të rrepta dhe zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit, raporton tvfesta.mk
Mladenovska theksoi se ky takim i zgjeruar me transportuesit vjen pas një periudhe më të gjatë ku nuk ishte mbajtur një organizim i tillë në këtë përbërje.
“Dita e sotme mblodhi të gjithë operatorët që merren me transportin publik të udhëtarëve – urban, ndërurban, interkomunal dhe ndërkombëtar, sektor ky i një rëndësie të veçantë për ne,” u shpreh Mladenovska.
Qëllimi kryesor i takimit ishte që transportuesve t’u tërhiqet vëmendja në mënyrë preventive për parregullsitë dhe mosrespektimin e rregullave ligjore, me kërkesë që ato të eliminohen menjëherë në afatin më të shkurtër të mundshëm. Ajo paralajmëroi se në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Rrugëve pranë Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, do të ndërmerren kontrolle të organizuara dhe masa ndëshkimore.
“Ata i dinë detyrimet e tyre ligjore: çdo automjet, para se të niset në rrugë, duhet të jetë teknikisht i rregullt dhe të posedojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, si për shoferët ashtu edhe për vetë kompanitë,” tha ajo, duke shtuar se takimi shërben edhe si një paralajmërim i fundit që askush të mos arsyetohet se nuk ka qenë i informuar.
Duke marrë parasysh rritjen e numrit të aksidenteve ku përfshihen autobusët dhe pasojat tragjike që ato sjellin, SPB Kumanovë thekson se siguria në trafik kërkon standarde të larta.
“Për të parandaluar pasojat e padëshiruara, dëshmitarë të të cilave jemi gjithnjë e më shpesh kur autobusët bëhen pjesë e aksidenteve me viktima njerëzore, gjendja teknike e mjeteve dhe sjellja në trafik duhet të jenë në nivelin më të lartë. Toleranca do të jetë zero!” – përfundoi M-r. Lile Mladenovska. /tvfesta

