Nxënësit e Shkollës së Mesme Komunale “Ismet Jashari” në Likovë kanë realizuar gjatë fundjavës një aktivitet rekreativ dhe edukativ në natyrë, në bashkëpunim me Shoqatën e Bjeshkatarëve të Komunës së Likovës, raporton TVFesta.mk.
Përmes ecjes malore, nxënësit patën mundësinë të eksplorojnë bukuritë natyrore të vendlindjes, të kalojnë kohë së bashku dhe të promovojnë rëndësinë e aktivitetit fizik për një jetë më të shëndetshme.
Sipas njoftimit të shkollës, aktiviteti kishte për qëllim jo vetëm nxitjen e të rinjve drejt një jetese aktive, por edhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit, kultivimin e dashurisë për natyrën dhe forcimin e bashkëpunimit e solidaritetit ndërmjet nxënësve.
Gjatë këtij aktiviteti, të rinjtë patën mundësi të ndërthurin rekreacionin me edukimin, duke përjetuar nga afër vlerat natyrore që ofron rajoni i Likovës.
Nga SHMK “Ismet Jashari” shprehën mirënjohje për Shoqatën e Bjeshkatarëve të Komunës së Likovës, për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në organizimin e këtij aktiviteti.
“Së bashku për një rini më aktive, më të shëndetshme dhe më të vetëdijshme për vlerat e natyrës!”, thuhet në mesazhin e shkollës.
Aktivitete të tilla synojnë të nxisin pjesëmarrjen e nxënësve në veprimtari jashtë mjediseve shkollore, duke promovuar shëndetin, shoqërimin dhe përgjegjësinë ndaj natyrës. /tvfesta

