KUMANOVË

Komuna e Kumanovës shpall thirrje publike për organizimin e manifestimeve kulturore në vitin 2027

Komuna e Kumanovës ka shpallur thirrje publike për mbështetjen e manifestimeve kulturore që do të organizohen gjatë vitit 2027. Institucionet kulturore, shoqatat, fondacionet dhe subjektet e tjera juridike të interesuara mund të dorëzojnë projektpropozimet e tyre deri më 26 nëntor 2026, raporton tvfesta.mk.

Thirrja publike është shpallur më 6 nëntor, ndërsa të drejtë aplikimi kanë institucionet publike, shoqatat qytetare, fondacionet dhe personat e tjerë juridikë që veprojnë në fushën e kulturës ose në veprimtaritë sociale dhe humanitare, me kusht që selia e tyre të jetë në territorin e Komunës së Kumanovës.

Projektet e propozuara duhet të kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore, mbështetjen e artistëve vendas, avancimin e bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve dhe vazhdimësinë e manifestimeve tradicionale kulturore e artistike.

Për aplikim, subjektet e interesuara duhet të plotësojnë formularin e posaçëm, ku përfshihen të dhënat e organizatës, përshkrimi i manifestimit, aktivitetet e planifikuara, rezultatet e pritshme dhe buxheti i nevojshëm. Gjithashtu, kërkohet dëshmi regjistrimi nga Regjistri Qendror, jo më e vjetër se gjashtë muaj.

Dokumentacioni i plotë duhet të dorëzohet në formë të shkruar në arkivin e Komunës së Kumanovës, me shënimin për Sektorin e Kulturës dhe Sportit.

Një aplikues mund të dorëzojë disa projektpropozime, por për secilin duhet të plotësojë formular të veçantë dhe të marrë numër të veçantë arkivor. Manifestimet duhet të planifikohen në data të ndryshme.

Projektet do të vlerësohen sipas pesë kritereve, me gjithsej 100 pikë të mundshme. Realizimi i projektit vlerësohet me 35 pikë, konstrukti financiar dhe buxheti me nga 20 pikë, plotësimi i dokumentacionit me 15 pikë dhe marketingu me 10 pikë.

Projektpropozimet që marrin më pak se 50 pikë do të konsiderohen të papërshtatshme për realizim dhe nuk do të përfshihen në Programin e Manifestimeve Kulturore për vitin 2027.

Përzgjedhjen përfundimtare do ta bëjë një komision komunal i formuar nga kryetari i komunës, ndërsa programi vjetor do të miratohet nga Këshilli i Komunës së Kumanovës.

Me organizatorët e përzgjedhur, komuna do të lidhë marrëveshje për përcaktimin e të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive lidhur me mbështetjen financiare.

Afati i fundit për dorëzimin e projektpropozimeve është 26 nëntori 2026. /tvfesta