Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova do të shënojë 81-vjetorin e themelimit me një manifestim të veçantë kulturor dhe artistik, ku mysafir special do të jetë Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili do të prezantohet me koncertin tematik “Skutaçja e Caucës”, raporton tvfesta.mk.
Manifestimi do të mbahet të shtunën, më 7 nëntor 2026, në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, me fillim nga ora 19:00, duke sjellë para publikut një mbrëmje të pasur me këngë, valle dhe tradita autentike shqiptare.
Në kuadër të këtij përvjetori të rëndësishëm, një vend të veçantë në programin artistik do të zërë Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, i cili do të ngjitet në skenën kumanovare me koncertin tematik të titulluar “Skutaçja e Caucës”.
Ky koncert do të sjellë para artdashësve pasurinë e çmuar të traditës shqiptare, përmes interpretimit profesional të këngëve dhe valleve burimore, duke shpalosur vlerat e trashëgimisë shpirtërore, folklorike dhe artistike të popullit shqiptar.
Pjesëmarrja e ansamblit shtetëror si mysafir special pritet t’i japë një dimension të veçantë artistik festimit të 81-vjetorit të Ansamblit “Bajram Shabani”, duke bashkuar në një skenë përkushtimin shumëvjeçar ndaj ruajtjes dhe promovimit të kulturës kombëtare.
Përmes një njoftimi publik, Ansambli “Bajram Shabani” ka ftuar qytetarët, artdashësit dhe të gjithë dashamirët e folklorit shqiptar që të bëhen pjesë e kësaj feste të rëndësishme kulturore.
“81 vjet – një histori që këndohet, një traditë që vallëzon, një krenari që nuk shuhet!”, thuhet në mesazhin e ansamblit, përmes të cilit theksohen dekadat e përkushtimit në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, informon tvfesta.
Për më shumë se tetë dekada, Ansambli “Bajram Shabani” ka qenë një emër i rëndësishëm i jetës kulturore shqiptare në Kumanovë, duke kontribuar në ruajtjen e këngëve, valleve dhe vlerave tradicionale që përcillen nga brezi në brez.
Ky përvjetor nuk shënon vetëm një moment të rëndësishëm në historinë e ansamblit, por edhe një ngjarje me vlerë për komunitetin shqiptar në Kumanovë dhe më gjerë.
Organizatorët paralajmërojnë një atmosferë festive dhe një program të pasur artistik, ku në qendër do të jenë tradita, kultura dhe identiteti kombëtar shqiptar.
“Kjo festë është edhe e juaja! 81 vjet histori, 81 vjet traditë, një zemër që rreh për kulturën!”, thuhet më tej në ftesën e ansamblit.
Ansambli “Bajram Shabani” u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në këtë ngjarje, për të festuar së bashku 81 vite veprimtari artistike dhe përkushtim ndaj kulturës shqiptare.
Televizioni Festa Kumanovë, në bashkëpunim me Ideal Film’s, do të realizojë transmetimin e drejtpërdrejtë të këtij manifestimi, duke mundësuar që programi artistik, përfshirë edhe koncertin tematik “Skutaçja e Caucës” të Ansamblit Shtetëror, të ndiqet edhe nga shikuesit që nuk do të kenë mundësi të jenë fizikisht të pranishëm në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë. /tvfesta

