SPORT

KF Bashkimi nuk dorëzohet, mposht Arsimin 2:1

KF Bashkimi 1947 ka regjistruar një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën për mbijetesë në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, duke mposhtur KF Arsimin me rezultat 2:1 në stadiumin e KF Bashkimit në Kumanovë raporton tvfesta.mk.

Në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 12-të të kampionatit, të zhvilluar sot, më 2 nëntor, Bashkimi tregoi vendosmëri dhe karakter, duke siguruar tri pikë me peshë të madhe në një moment vendimtar të sezonit.

Skuadra kumanovare e nisi takimin me iniciativë, duke krijuar disa mundësi të mira për shënim gjatë pjesës së parë. Megjithatë, pavarësisht rasteve të shumta para portës kundërshtare, futbollistët e Bashkimit nuk arritën të konkretizonin, ndërsa 45 minutat e para përfunduan me rrjeta të paprekura, 0:0.

Në pjesën e dytë, vendasit u treguan më konkretë dhe arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 50-të, kur Stefan Ristovski realizoi për epërsinë 1:0, duke ndezur atmosferën në stadium.

Vetëm 15 minuta më vonë, në minutën e 65-të, Luis Ribeiro dyfishoi epërsinë e Bashkimit në 2:0, duke e afruar skuadrën kumanovare drejt një fitoreje shumë të rëndësishme, informon tvfesta

Megjithatë edhe pse Bashkimi kishte mundesi për të shënuar edhe golin e tretë, Arsimi nuk u dorëzua dhe në minutën e 76-të, përmes Ebrima Gaye, arriti të ngushtonte rezultatin në 2:1, duke rikthyer emocionet në minutat e fundit të takimit.

Pavarësisht përpjekjeve të mysafirëve për të barazuar, Bashkimi arriti ta ruante epërsinë deri në vërshëllimën përfundimtare, duke festuar një fitore me vlerë të madhe.

Me këtë triumf, Bashkimi ngjitet në kuotën e 10 pikëve dhe vazhdon të mbajë pozitën e nëntë në tabelë, duke u barazuar me Arsimin, i cili renditet i teti, po ashtu me 10 pikë.

Kjo fitore i jep një shtysë të rëndësishme skuadrës kumanovare në përpjekjet për t’u larguar nga zona e rrezikut për rënie nga elita e futbollit vendor.

Në xhiron e ardhshme, Bashkimi do të luajë sërish para tifozëve të vet në Kumanovë, ku do të presë FK Bregallnicën, në një tjetër përballje të rëndësishme për vazhdimësinë e rezultateve pozitive.

Ndërkohë, KF Arsimi do të jetë nikoqir i Shkëndijës së Haraçinës në Gostivar, në një takim ku gjithashtu do të kërkojë pikë të rëndësishme.

Fitorja ndaj Arsimit rikthen optimizmin te Bashkimi dhe tifozët kumanovarë, të cilët shpresojnë që kjo të jetë pikënisja e një serie rezultatesh pozitive në vazhdim të kampionatit. /tvfesta