LAJME

Sela kërcënon me bllokim të Kuvendit: Nuk kërkoj lëmoshë për fjalën, Gashi po vazhdon avazin e Xhaferit

Deputeti opozitar Ziadin Sela ka akuzuar kryetarin e parlamentit, Afrim Gashi, për manipulim me Rregulloren dhe për menjanim të deputetëve opozitarë nga orari kryesor i transmetimit mediatik. Sela paralajmëroi se nëse nuk ndryshon praktika e radhës së fjalës, opozita do të bllokojë seancat e ardhshme, raporton tvfesta.mk

Sela deklaroi se nuk kërkon lëmoshë e as privilegje nga grupet e mëdha parlamentare për të marrë fjalën. Ai theksoi se kjo sjellje po përsëritet ndër vite, ku deputetëve të caktuar u lihet hapësirë vetëm pas orës 14:00, atëherë kur vëmendja e mediave dhe e opinionit publik është më e ulët.

“Unë nuk jam këtu për të kërkuar as lëmoshë dhe as privilegj… Në qoftë se do të duhet të hyj në pazare që t’i lutem dikujt për ta marrë të drejtën për fjalë, unë parapëlqej ta bllokoj, sesa të lëshoj dorën e të lutem: ‘aman ma lëshoni një vend’… E njëjta sjellje nuk është vetëm me Afrim Gashit sot, të njëjtën sjellje e kishte dhe Talat Xhaferi dje. Por kësaj pune duhet t’i vihet fund! Herën tjetër, në qoftë se kjo s’bëhet, nuk do të keni mundësi të parashtroni pyetje sepse ne do ta bllokojmë seancën bazuar në rregullore.” theksoi Sela.

Sela propozoi që radha e pyetjeve të bëhet me rotacion mujor, në mënyrë që të gjithë deputetët të kenë mundësi të barabartë për t’iu drejtuar qeverisë. Nëse ky model nuk zbatohet, ai paralajmëroi se seanca e ardhshme e pyetjeve të deputetëve do të përballet me bllokadë totale. /tvfesta