MAQEDONI

Zëvendësministri Iseni dhe rektori Fetaji nënshkruan Memorandum bashkëpunimi ndërmjet MPB-së dhe Universitetit „Nënë Tereza“

Sot (29.10.2026), zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, realizoi një vizitë pune në Universitetin „Nënë Tereza“ në Shkup, ku u takua me rektorin, prof. dr. Bekim Fetaji. Në kuadër të takimit u nënshkrua Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Universitetit, me të cilin vendosen bazat për thellimin e bashkëpunimit institucional në fushën e arsimit, shkencës dhe zhvillimit profesional.

Memorandumi parasheh shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe ekspertizës ndërmjet kuadrit akademik dhe shërbimeve profesionale të Ministrisë, realizimin e aktiviteteve të përbashkëta arsimore dhe kërkimore, pjesëmarrjen në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe organizimin e konferencave, seminareve, trajnimeve dhe ligjëratave profesionale. Gjithashtu, parashikohen mundësi për praktikë studentore, në përputhje me nevojat dhe kapacitetet e të dy institucioneve.

Në takim u theksua rëndësia e ndërlidhjes së komunitetit akademik me institucionet, veçanërisht në drejtim të zbatimit të njohurive shkencore në punën praktike, avancimit të kompetencave profesionale dhe krijimit të mundësive që të rinjtë të fitojnë njohuri dhe përvoja praktike.

Zëvendësministri Iseni theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet e arsimit të lartë, duke nënvizuar se investimi në dije, arsim dhe përsosje profesionale është një nga parakushtet kryesore për zhvillimin e një policie moderne, profesionale dhe efikase.

Me nënshkrimin e Memorandumit, Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon ta zgjerojë bashkëpunimin me komunitetin akademik, duke krijuar hapësirë për projekte të përbashkëta, shkëmbim ekspertize dhe ndërlidhje të njohurive teorike me nevojat praktike të institucioneve.

Qëllimi i këtyre partneriteteve është që njohuritë dhe potenciali shkencor i universiteteve të shndërrohen në përfitime konkrete për zhvillimin institucional, përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe ndërtimin e institucioneve më efikase në shërbim të qytetarëve.