Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, gjatë intervistës në podcastin “Fol” me gazetarin Nexhat Aqifi në TV Festa Kumanovë, i ka cilësuar si të papërgjegjshme dhe “qesharake” deklaratat e zyrtarëve të BDI-së lidhur me projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Sulejmani u shpreh se pretendimet e opozitës se “më mirë është pa ligj sesa me ligj” nuk i qëndrojnë asnjë logjike shoqërore apo juridike.
Sipas zëvendësministrit, çdo sistem shoqëror ka nevojë për kuadër ligjor që të funksionojë siç duhet dhe të parandalojë shkeljet:
“Janë qesharake deklaratat e zyrtarëve të BDI-së kur thonë ‘më mirë pa ligj sesa me ligj’. Çdo organizëm në jetën shoqërore rregullohet me ligj, sepse ata që e shkelin atë përballen me pasoja. Më mbrapa se mos me pasur ligj fare – nuk ka. Askush nuk mund të bindë asnjë njeri që mendon me mendje të lirë se është më mirë pa ligj,” deklaroi Sulejmani.
Sulejmani theksoi se koalicioni VLEN po ofron një zgjidhje legjislative tejet serioze, në hartimin e së cilës kanë qenë të përfshirë ekspertë të njohur të fushës juridike.
“Ne po ofrojmë një ligj shumë serioz, të cilin e kanë punuar ekspertë, mes të cilëve edhe doktori Jeton Shasivari – një nga juristët më të mirë në vendin tonë dhe më gjerë. Ky ligj do ta zgjidhë përfundimisht përfaqësimin e drejtë dhe adekuat si kategori ligjore,” nëvizoi ai.
Duke sqaruar përmbajtjen e projektligjit, Sulejmani vuri në dukje ndryshimin kyç që sjell kjo zgjidhje e re në krahasim me të kaluarën:
Punësimi i garantuar: Ligji obligon institucionet shtetërore të respektojnë përqindjet etnike në strukturën e tyre.
Avancimi profesional: Për herë të parë, ligji rregullon me detyrim ligjor edhe ngritjen në detyrë (avancimin) e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në administratë.
“Deri më sot, avancimi nuk ka qenë pjesë e ligjit për përfaqësim të drejtë. Tani ne do t’u garantojmë shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera se do të avancohen ligjërisht. Institucionet do të jenë të obliguara të kujdesen për pasqyrimin e përqindjeve etnike si për punësim, ashtu edhe për avancim,” përfundoi Sulejmani.

