RAJON & BOTA

Tensione dhe incidente gjatë zgjedhjeve në Serbi: Përleshje fizike para zyrave të partisë së Vuçiçit

Dita e zgjedhjeve në Serbi po shoqërohet me incidente të shumta me prapavijë politike. Së fundmi, përpara ambienteve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) — partia në pushtet e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiç — në qytetin e Lazarevacit është regjistruar një përplasje e dhunshme.

Sipas raportimeve të mediatike, një grup qytetarësh është tubuar përpara zyrave lokale të SNS-së duke lëshuar fyerje verbale ndaj aktivistëve të partisë. Tensione shkallëzuan me shpejtësi kur personat e pranishëm filluan të dëmtojnë e të godasin me sende të forta automjetet e parkuara përpara selisë.

Menjëherë pas dëmtimit të makinave, situata degradoi në përleshje të drejtpërdrejtë fizike mes grupeve të qytetarëve dhe mbështetësve të partisë në pushtet.

Ky incident nuk është i vetmi gjatë këtij procesi zgjedhor. Më herët gjatë ditës, mediat serbe si “Blic” raportuan se një grup personash të armatosur me shufra hekuri u futën dhunshëm në një qendër thirrjesh (call center) të SNS-së së Vuçiçit në lagjen Batajnicë të Beogradit, ku kërcënuan dhe maltretuar aktivistët partiakë që po punonin brenda.

Dyshimet për manipulim votash dhe presione nga qendrat e thirrjeve të partisë në pushtet kanë nxitur reagime të ashpra nga opozita dhe grupet qytetare gjatë gjithë ditës së votimit. Organet e rendit në Serbi po ndjekin situatën për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.