Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë ka ngritur kallëzim penal kundër dy personave nga fshati Opajë i Komunës së Likovës, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale „Shmangia e pagesës së akcizës“, raporton tvfesta.mk
Nën hetim nga organet e rendit janë N.A. (56) dhe B.A. (59). Sipas njoftimit nga policia, gjatë vitit 2025, të dyshuarit kanë siguruar, mbajtur dhe përpunuar në mënyrë të paautorizuar një sasi prej 1.324 kilogramësh duhan në gjethe.
Duhanin e përpunuar, dy të denoncuarit më pas e kanë lëshuar në qarkullim dhe ua kanë shitur personave të tjerë pa i plotësuar detyrimet ligjore. Përmes këtij veprimi, ata i kanë shmangur pagesës së akcizës shtetërore një vlerë prej 3.442.400 denarësh.
Rasti tashmë është procesuar pranë organeve kompetente të drejtësisë për procedim të mëtejshëm penal. /tvfesta

