KUMANOVË

NP “Pastrim dhe Gjelbërim”: Stop shkatërrimit të hapësirave të gjelbra në Kumanovë!

Ndërmarrja Publike “Pastrim dhe Gjelbërim” në Kumanovë ka ngritur alarmin për vazhdimin e akteve vandaliste mbi hapësirat publike dhe të gjelbra në qytet. Përmes një reagimi publik, ndërmarrja bën të ditur se përsëri janë dëmtuar fidanë nga drurët anësorë të rrugëve, si dhe janë dëmtuar e vjedhur lulet e sapombjella në sheshin e qytetit, raporton tvfesta.mk

​Nga kjo ndërmarrje shprehin revoltën për dëmtimin e punës dhe investimeve që bëhen për një qytet më të bukur:
​”Mund i dikujt, mjetet e investuara dhe dëshira për një qytet më të bukur e më të gjelbër po shkatërrohen sërish nga individë të papërgjegjshëm. Kujt i pengon gjelbërimi, lulet dhe hapësirat e rregulluara publike? Pse nuk dimë ta ruajmë atë që është krijuar për të gjithë ne?” – pyesin nga NP “Pastrim dhe Gjelbërim”.

​Sipas ndërmarrjes, ky veprim nuk përbën thjesht shkatërrim lulesh apo fidanësh, por është dëmtim i drejtpërdrejtë i pronës publike, i mjeteve të vetë qytetarëve dhe i përpjekjeve për të pasur një Kumanovë më të pastër e më të gjelbër.

​Apel qytetarëve dhe kërkesë për sankcionimin e kryerësve
​NP “Pastrim dhe Gjelbërim” u ka bërë thirrje urgjente individëve të papërgjegjshëm që të ndërpresin sjelljet e tilla, duke kujtuar se hapësirat publike janë e mirë e përbashkët dhe përgjegjësi e të gjithëve.
​Njëkohësisht, ndërmarrja i ka kërkuar publikisht institucioneve kompetente që të marrin masa konkrete, të rrisin mbikëqyrjen në terren, si dhe të gjejnë e të ndëshkojnë kryerësit e këtyre akteve.

​”Nuk mjafton që dëmi vetëm të riparohet vazhdimisht e e njëjta gjë të përsëritet sërish. Nevojitet përgjegjësi dhe reakcion konkret! Nuk mundet që disa të mbjellin, të rregullojnë e të investojnë mund, ndërsa të tjerët pa asnjë ndërgjegje të shkatërrojnë!” – përfundon reagimi i ndërmarrjes. /tvfesta