SPORT

Bashkimi pret Sileksin në Kumanovë, klubi kërkon mbështetje masive nga tifozët

KF Bashkimi nga Kumanova do të përballet të dielën me Sileksin, në kuadër të xhiros së 10-të të kampionatit, në një takim të rëndësishëm për të dyja skuadrat. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e KF Bashkimit në Kumanovë, me fillim nga ora 12:00, raporton tvfesta.mk

Skuadra kumanovare hyn në këtë përballje pas një serie relativisht pozitive të rezultateve, duke regjistruar dy fitore, një barazim dhe një humbje në katër ndeshjet e fundit. Në anën tjetër, Sileksi nuk ka shënuar asnjë fitore në katër takimet e fundit, duke regjistruar tri barazime dhe një humbje.

Aktualisht, Bashkimi renditet në pozitën e nëntë, të parafundit në tabelë, me 7 pikë të grumbulluara, ndërsa Sileksi mban vendin e gjashtë me 10 pikë.

Pavarësisht dallimit prej tri pikësh në renditje, forma e fundit e dy skuadrave tregon se Bashkimi po kalon një periudhë më të mirë, informon tvfesta, ndërsa përballja e së dielës paraqet mundësi për kumanovarët që të vazhdojnë ecurinë pozitive dhe të përmirësojnë pozitën në tabelë.

Në prag të këtij takimi, drejtuesit e KF Bashkimit u kanë bërë thirrje tifozëve dhe qytetarëve të Kumanovës që të mbushin tribunat dhe t’i japin mbështetje skuadrës.

“Nesër, të gjithë në stadium! Na pret një përballje shumë e rëndësishme ndaj Sileksit. Klubi ka nevojë për përkrahjen tuaj për ta vazhduar serinë pozitive!”, thuhet në njoftimin e klubit.

Nga Bashkimi u bëjnë thirrje sportdashësve që ta shfrytëzojnë ditën e pushimit për të përkrahur futbollistët dhe për të krijuar një atmosferë sa më të mirë në stadium.

Ndërkohë, gjatë ditës së shtunë janë zhvilluar dy ndeshje të tjera të xhiros së 10-të. Shkëndija e Haraçinës ka pësuar humbje në terren vendas nga FC Struga me rezultat 0:2, ndërsa Vardari ka shënuar fitore minimale në Shtip, duke mposhtur Bregallnicën me rezultat 0:1. Të dielën në ora 14 do të përballet FK Skopje me KF Shkëndijën e Tetovës, ndërsa të hënën Arsimi pret Tikveshin. /tvfesta