KUMANOVË

Erkan Arifi: Arsimi, kultura dhe miqësia ndërtojnë ura që i tejkalojnë kufijtë!

Kryetari i Komunës së Likovës, z. Erkan Arifi, priti në një takim të përzemërt dy mysafiret nga Franca, Sophie De Saint Germain, dokumentariste, dhe Séverine Chaillou, profesoreshë e edukimit fizik dhe shëndetësor, nga kolegji “Félix Buhot” në Valognes, Normandi, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus+.

Mysafiret franceze shoqëroheshin nga përfaqësuesit e SHFK “7 Marsi” në Opajë, përkatësisht drejtori Besnik Ibrahimi, profesoresha e gjuhës frënge Gzime Ramadani dhe pedagogu Agim Murtezi.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, gjatë të cilit u diskutua për rëndësinë e shkëmbimeve arsimore, kulturore dhe gjuhësore, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore të Komunës së Likovës dhe atyre franceze.

Me këtë rast, u theksua edhe fakti se SHFK “7 Marsi” në Opajë është shkolla e vetme në Komunën e Likovës që, për të tretën herë radhazi, mirëpret mysafirë nga Franca në kuadër të projekteve të shkëmbimit ndërkombëtar, duke krijuar tashmë një traditë të vyer bashkëpunimi dhe miqësie ndërmjet dy vendeve.

Kjo vizitë përbën një tjetër mundësi për forcimin e lidhjeve arsimore e kulturore dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane.

Arsimi, kultura dhe miqësia ndërtojnë ura që i tejkalojnë kufijtë!

Link: https://komunaelikoves.gov.mk/kryetari-i-komunes-se-likoves-z-erkan-arifi-priti-ne-nje-takim-te-perzemert-dy-mysafiret-nga-franca-sophie-de-saint-germain/