Në organizim të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve „Bajram Shabani“ nga Kumanova, u mbajt edicioni i gjashtë i festivalit ndërkombëtar „Ballkan Fest“, i cili për dy net me radhë mblodhi ansamble dhe shoqëri kulturore-artistike nga disa vende të rajonit, raporton tvfesta.mk
Festivali ndërkombëtar „Balkan Fest“ nisi me sfilatën e ansambleve dhe shoqërive kulturore-artistike nga vende të ndryshme të rajonit, të cilat parakaluan në rrugët e qytetit të Kumanovës, duke sjellë ngjyrat, ritmet dhe traditat e kulturave të tyre.
Nata e parë e festivalit u mbajt në Kumanovë, ndërsa nata e dytë dhe përmbyllëse u zhvillua në Shtëpinë e Kulturës në Mateç të Komunës së Likovës.
Përgjatë dy netëve, qytetarët e Kumanovës, Likovës dhe rrethinës patën mundësinë të shijojnë këngë, valle dhe tradita të ndryshme kulturore, të prezantuara nga pjesëmarrësit nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Turqia, Kosova dhe Lugina e Preshevës.
Festivali „Ballkan Fest“ tashmë është shndërruar në një aktivitet tradicional, që synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet ansambleve dhe shoqërive kulturore-artistike të rajonit.
Organizimi i festivalit mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Likovës, ndërsa kontribut në realizimin e tij japin edhe afaristë nga Kumanova. /tvfesta
Për dy netë me radhë, Televizioni Festa, në bashkëpunim me “Ideal Films”, ka transmetuar drejtpërdrejt edicionin e sivjetshëm të festivalit, duke u mundësuar shikuesve të ndjekin nga afër çdo moment dhe emocion të kësaj ngjarjeje madhështore kulturore. Gjatë këtyre netëve festive u ndanë edhe çmimet kryesore për pjesëmarrësit më të dalluar:
Valltarja më e mirë: Melek nga AKV “Nakem” – Turqi
Valltari më i mirë: Besir Ibrahimi
Dyshja e vallëtarëve më të mirë: Behije Hyseni – Altin Saliu
Vallëtarët më të mirë: SHKA “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë
Koreografia më e mirë: “Nakem” – Turqi
Këngëtarja më e mirë: Kori “Nexhmije Pagarusha” Kosovë
Këngëtari më i mirë: Rilind Krasniqi
Instrumentisti më i mirë: Skender Halimi
Orkestra më e mirë: SHKA “Presheva” – Preshevë
Kostumet më të mira: AKV “SRMA” – Kumanovë
Çmimi i tretë: AKV “BLLAGAJ” – Bosnje
Çmimi i dytë: SHKA “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë
Çmimi i parë: “NAKEM” Bursa Turqi
Çmimi special i Festivalit: AKV “ILIRIDA” – Shtime

