KUMANOVË

Zhbllokohet deponia “Krastë” në Kumanovë, nis pastrimi me urgjencë i mbeturinave

Banorët e fshatrave Studena Barë dhe Pçinjë mëngjesin e sotëm kanë ndërprerë bllokadën e deponisë “Krastë”, pasi zjarri është shuar plotësisht dhe mbeturinat janë mbuluar me dhe. Sanimi i deponisë do të me vazhdojë më tej edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim që Komuna e Kumanovës dhe Ndërmarrja Komunale “Pastërtim dhe Gjelbërim” të parandalojnë përsëritjen e zjarreve, raporton tvfesta.mk

Banorët mbrëmë kanë zhvilluar një takim me Shtabin e Krizës, ku janë dakorduar hapat e mëtejshëm.

“E ndërprem bllokadën në marrëveshje me banorët. E arritëm qëllimin tonë, zjarri që përfshiu mbeturinat u shua me ndihmën e kompanive private. Mbetemi të përkushtuar edhe në realizimin e kërkesave tona të tjera, përkatësisht që mbeturinat të depozitohen në mënyrë që të mos lejohet përsëritja e situatës së gjashtë muajve të fundit. Kjo në praktikë do të thotë një shtresë mbeturina, një shtresë dhe, në mënyrë që të mos vijë deri te ndezjet e reja,” deklaroi Aleksandër Ilievski, kryetar i Bashkësisë Lokale të Pçinës.

Nga ana tjetër, drejtori i NP “Pastërtim dhe Gjelbërim”, Sasho Tomiq, konfirmoi se ekipet tashmë janë mobilizuar për të filluar me largimin e mbeturinave drejt deponisë “Krastë”.

“Rreth orës 10:30 filluam me largimin e mbeturinave. Kemi sasi të mëdha të mbetjeve, veçanërisht në zonën më të gjerë të qytetit. Do të punojmë edhe gjatë natës për t’i larguar ato. Do të veprojmë sipas zonave prioritare dhe shpresoj se së shpejti situata do të normalizohet,” u shpreh Tomiq.

Ai u bëri thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke siguruar se do të pastrohen të gjitha mbeturinat e akumuluara në çdo pjesë të qytetit, lagjeve dhe fshatrave.

Bllokada e deponisë “Krastë” zgjati gjashtë ditë. Banorët kërkonin nga institucionet kompetente lokale dhe shtetërore zgjidhjen e problemit shumëvjeçar me ndotjen e ambientit jetësor, të shkaktuar nga zjarret e mëdha gjatë 6 muajve të fundit.

Për dy ditë me radhë, mbeturinat e Kumanovës u transportuan në deponinë “Drislla” të Shkupit, me ndihmën e kamionëve të ndërmarrjeve publike nga Shkupi dhe Kavadari.

Pasi banorët nuk lëshuan pe ndaj presioneve për t’u larguar nga bllokada pa u sanuar deponia, ditën e djeshme – përmes një aksioni të madh me makineri të rëndë dhe kamionë të kompanive private – mbeturinat u mbuluan me dhe, ndërsa zjarri u fik plotësisht. /tvfesta