Pas më shumë se 20 vitesh pritje, objekti i ri i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë po shkon drejt përfundimit të punimeve, duke u bërë gati për të hapur dyert për nxënësit, raporton tvfesta.mk.
Në kuadër të këtij momenti të rëndësishëm, zëvendësdrejtori i Burgut të Kumanovës, Ylber Limani kuadër i VLEN-it, ka qenë sot prezent në inspektimin e punimeve së bashku me zëvendësministrin e Arsimit, Driton Sulejmani, zëdhënësen e Qeverisë, Venera Azizi, si dhe funksionarë të tjerë të qeverisë dhe të pushtetit lokal në Kumanovë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Limani e ka vlerësuar këtë shkollë si një investim me standarde evropiane që e meritojnë nxënësit tanë:
“Pas më shumë se 20 vitesh pritje, Gjimnazi ‘Sami Frashëri’ në Kumanovë po i afrohet përfundimit. Një shkollë e re, moderne dhe me standarde evropiane, të cilën e meritojnë nxënësit tanë. Uroj dhe besoj që kjo shkollë të jetë gjithmonë e mbushur me nxënës shqiptarë, me dije, ambicie dhe suksese. Le të jetë ‘Sami Frashëri’ jo vetëm një objekt i ri, por një vatër e dijes, arsimit dhe krenarisë shqiptare në Kumanovë. Suksese brezave që do të mësojnë aty”, ka shkruar Limani.
Me përfundimin e këtij objekti modern, nxënësit dhe kuadri arsimor i gjimnazit “Sami Frashëri” do të kenë më në fund kushte të dinjitetshme për zhvillimin e procesit mësimor, pas një periudhe të gjatë sfidash me hapësirat ushtruese. /tvfesta

