Zëvendësdrejtori i Doganës, Mustafa Dauti, ka njoftuar se gjatë kontrolleve në terminalet doganore në Tetovë dhe Shkup janë zbuluar gjithsej 12 migrantë nga Egjipti dhe Sudani. Të dy rastet janë evidentuar brenda së njëjtës ditë, gjatë kontrollit të mallrave të deklaruara për zhdoganim në import.
Në terminalin doganor në Tetovë, nëpunësit doganorë kanë dyshuar për praninë e migrantëve në një kamion dhe kanë kërkuar asistencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjatë kontrollit, në hapësirën e ngarkesës janë gjetur pesë migrantë.
Vetëm dy orë më vonë, në terminalin doganor Shkup 3, gjatë një kontrolli tjetër të mallrave të deklaruara për import, janë zbuluar edhe shtatë migrantë.
Pas zbulimit, të 12 migrantët i janë dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme për procedurat e mëtejshme.
Në njoftim theksohet rëndësia e kontrolleve doganore dhe e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në zbulimin dhe parandalimin e migracionit të parregullt.



